
Trajnimi i zhvilluar në Bashkinë Maliq u konceptua si një hapësirë gjithëpërfshirëse mësimi, reflektimi dhe debati mbi rolin e të rinjve në qeverisjen vendore dhe funksionimin e Këshillave Rinorë Vendorë. Ky aktivitet është pjesë e projektit “Këshillat Vendorë Rinorë për Bashki më Pjesëmarrëse”, i cili mbështetet nga Agjencia Kombëtare për Rininë dhe synon të forcojë kapacitetet e të rinjve për të marrë pjesë aktive dhe me ndikim në proceset e politikëbërjes lokale.
Në këtë trajnim morën pjesë 15 të rinj dhe të reja nga Maliqi dhe njësitë administrative përreth, duke siguruar balancë gjinore dhe përfaqësim nga zonat urbane e rurale. Pjesëmarrësit sollën me vete jo vetëm interesin për të kuptuar institucionet, por edhe problematikat që e bëjnë jetën e tyre të përditshme të vështirë: mungesën e hapësirave rinore, papunësinë, distancën mes shkollës dhe tregut të punës, si dhe ndjenjën e mosbesimit te institucionet vendore.
Ky trajnim nuk ishte vetëm një proces njohjeje me legjislacionin apo teoritë e demokracisë. Ai u kthye në një mjedis ku të rinjtë testuan veten si aktorë të mundshëm të ndryshimit, duke reflektuar mbi boshllëqet mes kornizës ligjore dhe praktikës, dhe duke ngritur pyetjen thelbësore: çfarë roli real mund të kenë Këshillat Rinorë në jetën e një bashkie si Maliqi?
Dita I – Pjesëmarrja politike e të rinjve dhe demokracia lokale
Dita e parë e trajnimit u hap me një sesion mbi konceptin e pjesëmarrjes politike të të rinjve, duke bërë dallimin mes formave konvencionale (votimi, angazhimi në partitë politike, pjesëmarrja në forume të institucionalizuara) dhe formave jokonvencionale (protesta, nisma qytetare, angazhimi në rrjete sociale).
Diskutimi i nxiti të rinjtë të shprehnin përvojat e tyre personale. Shumica pranuan se votimi shpesh shihet si i vetmi instrument për të ushtruar të drejtën qytetare, ndërsa formate të tjera të përfshirjes mungojnë ose mbeten sporadike. Ata shprehën ndjesinë se vendimmarrja vendore nuk u ofron hapësira reale, se konsultimet publike zhvillohen formalisht dhe se Këshillat Rinorë, kur ekzistojnë, nuk funksionojnë si ura lidhëse mes brezit të ri dhe pushtetit vendor.
Në një ushtrim praktik, pjesëmarrësit hartuan një listë të formave të angazhimit që aktualisht përdoren në komunitet. Rezultatet ishin domethënëse: aktivitetet kulturore dhe sportive shihen si të vetmet hapësira ku rinia bashkohet dhe shpreh energjinë e saj. Në kontrast, mungonte çdo përfaqësim real në proceset vendimmarrëse, duke dëshmuar për një demokraci lokale të kufizuar, ku pjesëmarrja e të rinjve është më shumë e perceptuar sesa e ushtruar.
Diskutimi për tipologjitë e demokracisë solli edhe një reflektim të thelluar mbi mungesën e përfaqësimit të diversitetit: vajzat nga zonat rurale, të rinjtë JPAFP, apo ata me aftësi të kufizuara shpesh nuk arrijnë të kenë as zë, as prani në strukturat që ligjërisht duhet t’i përfaqësojnë. Ky hendek i thellë mes normës ligjore dhe realitetit praktik u identifikua nga vetë të rinjtë si sfida më e madhe për demokracinë vendore.