
Hyrje
Trajnimi i zhvilluar në Bashkinë Maliq u konceptua si një hapësirë gjithëpërfshirëse mësimi, reflektimi dhe debati mbi rolin e të rinjve në qeverisjen vendore dhe funksionimin e Këshillave Rinorë Vendorë. Ky aktivitet është pjesë e projektit “Këshillat Vendorë Rinorë për Bashki më Pjesëmarrëse”, i cili mbështetet nga Agjencia Kombëtare për Rininë dhe synon të forcojë kapacitetet e të rinjve për të marrë pjesë aktive dhe me ndikim në proceset e politikëbërjes lokale.
Në këtë trajnim morën pjesë 15 të rinj dhe të reja nga Maliqi dhe njësitë administrative përreth, duke siguruar balancë gjinore dhe përfaqësim nga zonat urbane e rurale. Pjesëmarrësit sollën me vete jo vetëm interesin për të kuptuar institucionet, por edhe problematikat që e bëjnë jetën e tyre të përditshme të vështirë: mungesën e hapësirave rinore, papunësinë, distancën mes shkollës dhe tregut të punës, si dhe ndjenjën e mosbesimit te institucionet vendore.
Ky trajnim nuk ishte vetëm një proces njohjeje me legjislacionin apo teoritë e demokracisë. Ai u kthye në një mjedis ku të rinjtë testuan veten si aktorë të mundshëm të ndryshimit, duke reflektuar mbi boshllëqet mes kornizës ligjore dhe praktikës, dhe duke ngritur pyetjen thelbësore: çfarë roli real mund të kenë Këshillat Rinorë në jetën e një bashkie si Maliqi?
Kuadri ligjor dhe strategjik: nga letra te realiteti
Dita e dytë u përqendrua te kuadri ligjor dhe strategjik shqiptar për pjesëmarrjen e të rinjve. Ligji nr. 75/2019 “Për rininë” u analizua në mënyrë të detajuar, duke vënë theksin tek nenet që parashikojnë ngritjen dhe funksionimin e Këshillave Rinorë Vendorë pranë bashkive. U theksua gjithashtu lidhja me Strategjinë Kombëtare për Rininë 2022–2029 dhe Strategjinë për Barazinë Gjinore 2021–2030, dokumente që e pozicionojnë pjesëmarrjen rinore si një prioritet kombëtar.
Pjesëmarrësit u përballën me një pyetje kritike: a mjafton kuadri ligjor për të garantuar pjesëmarrjen reale të të rinjve? Diskutimi i gjallë që pasoi nxori në pah boshllëqet mes teorisë dhe praktikës. Të rinjtë shprehën shqetësimin se shpesh këshillat krijohen formalisht, pa funksion, pa buxhet dhe pa mbështetje institucionale. Kjo krijon një hendek mes asaj që ligji parashikon dhe asaj që ata përjetojnë çdo ditë në komunitet.
Për të pasuruar diskutimin, u sollën shembuj nga bashki të tjera në Shqipëri ku këshillat kanë funksionuar më mirë, duke u kthyer në zë aktiv për rininë. Krahasimi me praktikat e Bashkimit Europian, Këshillit të Europës dhe mekanizmave të OKB-së për përfshirjen e të rinjve nxiti reflektimin mbi mundësitë e përshtatjes së këtyre modeleve në kontekstin shqiptar.
Konkluzioni i ditës ishte i qartë: pa presion qytetar dhe pa angazhim të vazhdueshëm të vetë të rinjve, KVR-të rrezikojnë të mbeten struktura në letër. Për këtë arsye, ligji nuk duhet parë si garanci, por si mjet që fiton kuptim vetëm kur shoqërohet me angazhim real, gjithëpërfshirje dhe transparencë.

