
Dita 1
Trajnimi i zhvilluar në Bashkinë Pustec u konceptua si një hapësirë gjithëpërfshirëse mësimi, reflektimi dhe debati, ku të rinjtë u vendosën në qendër të diskutimit mbi qeverisjen vendore, rolin e tyre qytetar dhe funksionimin e Këshillave Rinorë Vendorë. Ky aktivitet shënoi një hap të rëndësishëm në kuadër të projektit “Këshillat Vendorë Rinorë për Bashki më Pjesëmarrëse”, i mbështetur nga Agjencia Kombëtare për Rininë, i cili synon të rrisë kapacitetet e të rinjve për pjesëmarrje aktive, të informuar dhe me ndikim real në proceset e politikëbërjes lokale dhe vendimmarrjes publike.
Aktiviteti u hap me fjalë përshëndetëse nga përfaqësues të organizatës zbatuese “Aktivizmi Letrar dhe Kulturor”, të cilët prezantuan qëllimet kryesore të projektit, filozofinë e ndërhyrjes dhe rëndësinë e ndërtimit të strukturave funksionale të përfaqësimit rinor në nivel vendor. Në vijim, ekspertët e projektit theksuan se Këshillat Rinorë Vendorë nuk duhet të shihen thjesht si struktura formale, por si mekanizma të gjallë dialogu, ku zëri i të rinjve përkthehet në ide, propozime dhe politika konkrete.
Në hapje të aktivitetit, fjalën e mori edhe nënkryetari i Bashkisë Pustec, i cili përshëndeti pjesëmarrësit dhe shprehu mbështetjen e institucionit vendor për nisma që fuqizojnë të rinjtë dhe i përfshijnë ata në jetën publike të komunitetit. Ai theksoi se bashkia e konsideron të domosdoshme krijimin e hapësirave të qëndrueshme për dialog dhe bashkëpunim me brezin e ri, duke nënvizuar se pjesëmarrja e të rinjve në vendimmarrje është një investim afatgjatë për zhvillimin demokratik dhe social të zonës. Në këtë kuadër, ai theksoi rëndësinë e ndërtimit të një kulture përgjegjësie qytetare, ku të rinjtë jo vetëm dëgjohen, por edhe ndihen pjesë aktive e proceseve që prekin jetën e tyre të përditshme.
Në takim mori pjesë gjithashtu një përfaqësues i komunitetit maqedonas të zonës, i cili vlerësoi trajnimet si një mundësi konkrete për nxitjen e bashkëjetesës, përfshirjes sociale dhe ndërveprimit kulturor ndërmjet të rinjve të komuniteteve të ndryshme dhe bashkive kufitare. Ai theksoi se aktivitete të tilla kontribuojnë në ndërtimin e urave të komunikimit dhe mirëkuptimit, duke forcuar kohezionin social në një zonë me diversitet kulturor.
Në trajnim morën pjesë 15 të rinj dhe të reja nga Bashkia Pustec dhe njësitë përreth, duke garantuar balancë gjinore dhe përfaqësim të barabartë nga zonat urbane dhe rurale. Pjesëmarrësit erdhën me pritshmëri të qarta për të kuptuar më mirë funksionimin e institucioneve vendore, rolin e tyre si qytetarë aktivë dhe mundësitë konkrete për t’u përfshirë në proceset vendimmarrëse. Gjatë diskutimeve, ata ndanë problematikat kryesore që prekin brezin e tyre, si mungesa e hapësirave të dedikuara rinore, papunësia, mungesa e programeve të zhvillimit kulturor dhe social, si edhe ndjesia e distancës dhe shkëputjes nga institucionet vendore.
Dita e parë e trajnimit u fokusua në konceptin e pjesëmarrjes politike dhe qytetare të të rinjve, duke trajtuar si format konvencionale të përfshirjes – votimi, anëtarësimi në parti politike, pjesëmarrja në forume dhe struktura zyrtare – ashtu edhe format jokonvencionale, si nismat qytetare, aktivizmi komunitar dhe angazhimi në rrjetet sociale. Diskutimet, të udhëhequra nga Prof. Asoc. Dr. Ilda Melo (Kovaci) dhe Prof. Asoc. Dr. Nadia Peto, nxitën reflektimin kritik mbi mënyrat konkrete se si të rinjtë mund të ndikojnë në jetën e komunitetit të tyre dhe mbi barrierat që hasen në këtë proces.
Përmes një ushtrimi praktik në grup, pjesëmarrësit hartuan një listë të formave aktuale të pjesëmarrjes rinore në komunitet dhe identifikuan boshllëqet ekzistuese. Nga diskutimet doli qartë se, në komunitete të vogla si Pusteci, pjesëmarrja e të rinjve shpesh kufizohet në aktivitete kulturore dhe sportive, ndërsa përfshirja në proceset e vendimmarrjes mbetet e dobët ose sporadike. Kjo situatë u analizua si pasojë e mungesës së informacionit, kanaleve të komunikimit dhe mekanizmave të qëndrueshëm bashkëpunimi midis institucioneve vendore dhe të rinjve.