
1. Qëllimi i aktivitetit
Trajnimi tre-ditor në Bashkinë Devoll u konceptua në kuadrin e projektit “Këshillat Vendorë Rinorë për Bashki më pjesëmarrëse”, me synimin që të rinjtë e kësaj bashkie të rrisin njohuritë e tyre mbi qeverisjen vendore, rolin e Këshillave Rinorë Vendorë (KVR), pjesëmarrjen qytetare dhe buxhetimin me ndjeshmëri gjinore. Aktiviteti është ndërlidhur drejtpërdrejt me objektivin e parë të projektit: forcimi i kapaciteteve të të rinjve për pjesëmarrje aktive dhe të informuar në vendimmarrje, në përputhje me nenin 10 të Ligjit nr. 75/2019 “Për Rininë”.
2. Pjesëmarrësit
Në trajnim morën pjesë 15 të rinj e të reja të moshës 16–29 vjeç, duke respektuar balancën gjinore dhe duke përfshirë përfaqësues nga grupe të margjinalizuara (vajza nga zonat rurale, të rinj me akses të kufizuar në informacion dhe shërbime). Përzgjedhja u bë në bashkëpunim me strukturat vendore dhe shkollat e mesme të Devollit, duke synuar një përfaqësim të larmishëm.
3. Zhvillimi i trajnimit
Dita II – Demokracia dhe strukturat përfaqësuese rinore
Në ditën e dytë pjesëmarrësit u njohën me tipologjitë e demokracisë dhe funksionet e strukturave përfaqësuese rinore. Diskutimet u përqendruan tek Këshillat Rinorë Vendorë, të cilët sipas ligjit duhet të shërbejnë si mekanizma këshillimorë pranë bashkive.
Reflektimi kritik tregoi se të rinjtë i perceptojnë këshillat si struktura “në letër”, të padukshme dhe pa ndikim real. Ata ngritën problematika si: mungesa e fondeve, mosfunksionimi i mbledhjeve, mungesa e komunikimit me këshillat bashkiakë, dhe përjashtimi i vajzave nga zonat rurale.
Megjithatë, në punën në grupe u artikulua një vizion pozitiv: këshillat mund të bëhen ura mes brezit të ri dhe institucioneve vendore, nëse ka transparencë, mekanizma të qartë dhe angazhim të vazhdueshëm.