“Stacioni turistik Devoll”
TABELA E PËRMBAJTJES
| NR | PËRSHKRIMI | NR. FAQES |
| 1 | Hyrje | 3 |
| 2 | Përshkrim i zonës së Devollit dhe përmbledhje e situatës | 3 |
| 3 | “Stacionit turistik Devoll” – Krijimi dhe funksionimi i tij | 4 |
| 4 | Përbërësit kryesorë të turizmit | 6 |
| – | Produktet turistike | 6 |
| – | Atraksionet turistike, eventet dhe aktivitetet | 6 |
| – | Infrastruktura turistike | 7 |
| – | Kapacitetet akomoduese, agjencitë e udhëtimit dhe operatorët turistikë | 8 |
| 5 | Aktiviteti i “Stacionit turistik Devoll | 9 |
| – | Popullsia e zonës së Devollit, komunitet që mbart vlera pozitive | 9 |
| – | Kultura, historia e traditat | 9 |
| – | Veprimtari prodhuese e artizanale | 9 |
| – | Natyra, klima dhe terreni | 10 |
| Aneksi I – Rreth projektit | ||
| Aneksi II – Objektet e trashëgimisë kulturore | ||
| Aneksi III – Bare, restorante, bujtina, hotele, muzeume | ||
| Aneksi IV – Lista e operatorëve turistikë | ||
| Aneksi V – Lista e agjencive turistike |
Hyrje
Ministria e Turizmit në Strategjinë Kombëtare për Zhvillimin e Qëndrueshëm të Turizmit 2019-2023 ka si vizion të kësaj strategjie “Shqipërinë, një destinacion mikpritës, tërheqës dhe autentik, për zhvillim të qëndrueshëm të potencialeve ekonomike, natyrore dhe sociale të vendit”.
Në misionin e kësaj strategjie vihet theksi tek zhvillimi i destinacioneve, zonave, produkteve dhe diversifikimi i ofertës turistike, si dhe rritja e vlerës së shtuar të potencialeve turistike për zhvillimin ekonomik dhe social të vendit.
Me vizionin e qartë të kësaj strategjie si dhe në mbështetje të misionit të saj është edhe projekti “Punësimi i të rikthyerve përmes turizmit dhe trashëgimisë kulturore në Devoll”. Ky projektsynon të ndërthurrë dy situate dinamike dhe aktuale për komunitetin në Bashkinë Devoll: të rikthyerit nga emigracioni dhe promovimi i vlerave të trashëgimisë kulturore dhe turizmit në këtë Bashki. Pjesë e këtij projekti do të jetë edhe “Stacioni turistik Devoll” i cili do të shërbejë si zyrë e informacionit turistik (info-point) kryesisht për zonën e Devollit, Pustecit, por edhe më gjerë, për gjithë rajonin e Korçës në kuadrin e një oferte turistike rajonale, ku përfshihen të gjitha bashkitë e Qarkut Korçë.
Përshkrim i zonës së Devollit dhe përmbledhje e situatës
Devolli shtrihet në juglindje të Shqipërisë dhe është pjesë e rajonit të Korçës. Pozita gjeografike e Devollit e kufizuar në veri me “Grykën e Cangonjit” dhe “Qafën e Zvezdës”, ku shtrihet fushëpellgu u Maliqit, në verilindje me zonën e Pustecit, në veriperëndim dhe përgjatë kurrizit të Moravës me zonën e Korçës, në jugperëndim me zonën e Kolonjës, mali i Gramozit, si dhe në lindje kufizohet me shetin e Greqisë. Ky pozicion gjeografik bën të mundur lëvizjen e turistëve të huaj dhe vendas nëpërmjet pikë kalimeve kufitare të Kapshticës (kufi me Greqinë) dhe atë të Goricës (kufi me Maqedoninë e Veriut). Aksesi i turistëve jo vetëm me pikat e kalimit të kufirit, por edhe me zonat përreth si ato të Korçës, Pustecit, Kolonjës, Maliqit e më tej edhe Pogradecit bën të mundur ardhjen apo kalimin e tursitëve në zonën e Devollit.
Klima e Devollit është mesdhetare, kontinentale për shkak të pozicionit në brendësi të gadishullit Ballkanik. Zhvillimi i turizmit gjithëvjetor bëhet i mundur duke pasur 4 stinë me klimë të përshtatshme përgjatë vitit si për turizmin veror dhe për atë dimëror. Në këtë mënyrë rritet mundësia për të patur turistë të cilët kanë interesa të ndryshëm lidhur me llojet e shërbimeve turistike të ofruara.
“Stacionit turistik Devoll” – Krijimi dhe funksionimi i tij
Zona e Devollit si pjesë e rajonit të Korçës, tashmë njihet si destinacion turistik gjithëvjetor. “Stacioni turistik Devoll” është menduar të shërbejë si pikë e informacionit turistik (infopoint). Ky “Stacion turistik” i vendosur në pedonalen e qytetit të Bilishtit, do të jetë një hapësirë e promovimit të turizmit dhe trashëgimisë kulturore të zonës së Devollit. Deri tani në zonën e Devollit ka munguar një zyrë e tillë informacioni. Por dihet që nuk mund të ketë zonë apo rajon që pretendon zhvillimin e turizmit, pa një qendër informacioni turistik të nivelit bashkëkohor. Krijimi i saj do të ofrojë asistencë, informacion dhe shërbime të ndryshme si guida turistike për grupe turistësh apo edhe turistë të veçantë për zonën e Devolli dhe për të gjithë rajonin.
Përveç informacionit për Devollin dhe rajonin e Korçës, i cili do të jetë i pranishëm në këtë zyrë, “Stacioni turistik Devoll” do të synojë të organizojë dhe të ofrojë ture me grupe turistësh apo edhe të vetëm të cilat do të ofrojnë vlerat më të mira të zonës. Praktikisht një tur është funksional kur përfundon në pikën e nisjes, në formën e një rrethi. Ai arrin efektin e vet maksimal në se kudo që kalon ka se çfarë të ofrojë, në të kundërt është bërë vetëm një shëtitje.
Këta turistë, në grupe apo qoftë edhe të vetëm kryesisht vijnë të organizuar nëpërmjet operatorëve turistikë ose të shoqëruar nga miq të cilët kanë vizituar më parë vendin tonë. Përveç tyre, ka edhe turistë të cilët vijnë të vetëm, pa kontaktuar më parë me operatorët turistikë, duke vizituar vende të ndryshme që mund t’i kenë parë apo dëgjuar në media. Kryesisht këta lloj turistësh përdorin shërbimet të cilat gjenden në terren, pra edhe ato të pikave të informacionit turistik. Kjo tregon rëndësinë e lidhjes dhe bashkëpunimit të “Stacionit turistik” me operatorët turistikë për të ofruar ture turistike të zonës së Devollit.
Më poshtë po japim një skemë të thjeshtë të zonës së Devollit dhe të vetë rajonit të Korçës në tërësi si destinacion turistik.
Përbërësit kryesorë të turizmit
- Produktet turistike
“Stacioni turistik Devoll” do të ofrojnë dhe zhvillojnë produkte turistike në këtë zonë të cilat do të jenë:
- Turizmi natyror (turizmi malor, ekoturizmi – flora/fauna, bregujor, etj). Zona e Devollit vlerësohet për natyrën dhe peisazhet e saj të bukura. Këto zona natyrore dhe rurale ofrojnë mundësi për zhvillimin e turizmit rural, malor, ekoturizmit dhe veprimtarive në natyrë (çiklizmi malor, peshkimi, ngjitjet alpinistike, ecja në natyrë-hiking, shëtitja me kuaj, turet studimore, hedhje me parashutë sportive, etj). Disa prej këtyre veprimtarive janë motivi kryesor i vizitave nga vizitorët e huaj në zonën natyrore të Devollit. Vitet e fundit ka patur interesim edhe për turizmin dimëror.
- Turizmi tematik (kulturor, agroturizëm, turizmi i eventeve, biznesit, eno-gastronomi, shëndetësor, etj). Kjo zonë është unike në pasurinë me trashëgimi kulturore e historike. Këtu mund të gjejmë një kombinim të kulturave ilire, romake e bizantine, të cilat kanë lënë gjurmë në zhvillimin e trashëgimisë kulturore të zonës së Devollit.
- Turizmi bregliqenor. Zona e Devollit ndodhet vetëm pak kilometra në afërsi të liqeneve të Prespës dhe të Ohrit. Kjo bën të mundur që oferta turistike të përfshijë edhe turizmin bregliqenor jo vetëm në verë, por gjatë gjithë vitit.
- Atraksionet turistike, eventet dhe aktivitetet
Kënaqësia dhe emocioni që të shkakton peisazhi i zonave, vlerat kulturore që mbartin këto zona, muzeumet, vendet me histori, arkeologji, me vlera të agroturizmit e biodiversitetit si dhe potenciali i larmishëm natyror është një mundësi e jashtëzakonshme e turizmit në çdo stinë.
Synimi kryesor i këtij “Stacioni turistik” është rritja e numrit të vizitorëve, me qëllim rritjen e të ardhurave që vijnë nga turizmi. Marketingu dhe promocioni turistik janë shumë të rëndësishëm për arritjen e këtyre synimeve. Për këtë në “Stacionin turistik” do të ketë informacion të mjaftueshëm lidhur me ofertën turistike të zonës së Devollit të vendosur në një databazë ku do të specifikohen llojet e informacioneve, si psh, informacion për zonën e Devollit dhe rajonin e Korçës, harta, broshura me informacion për atraksionet e zonës, njësitë akomoduese, restorantet dhe baret e zonës, listën me vendet historike, natyrore e kulturore, kalendarin e aktiviteteve dhe festave lokale, llojet e tureve që do të ofrohen, guidat turistike të zonës dhe kontaktet e tyre, llojet e aktiviteteve që ofrohen, si ecje, ngjitje në mal, hiking, ture çiklistike, vizita në vende historike, arkeologjike, zona rurale, objekte kulti, etj. Bashkëpunimi edhe me autoritetet dhe institucionet lokale, si bashkia, qendra kulturore, zyra e arsimit, zyra e punësimit apo edhe banorë të njohur në zonë për njohuritë e tyre në këtë drejtim, do të jenë një ndihmë dhe një vlerë e shtuar për “Stacionin turistik”.
- Infrastruktura turistike
Si kudo në Shqipëri edhe në zonën e Devollit infrastruktura turistike ka vend për përmirësime. Infrastruktura rrugore, rrugët nacionale janë në gjendje të mirë, por problematike mbeten rrugët rurale, e sidomos ato në zonat e thella malore. Megjithatë vitet e fundit ka pasur përmirësim edhe në këtë drejtim. Duke qenë një zonë me rreth 10-12 mijë banorë ajo nuk është zhvilluar në drejtim të qendrave të mëdha, hotele e resorte, parqe argëtuese dhe rekreacioni, të cilat do të tërhiqnin një segment të caktuar të kërkesës turistike, siç është ai i eventeve, biznesit, konferencave, etj, për të mundësuar shtrirjen gjithëvjetore të turizmit. Gjithashtu mungojnë qendrat për zhvillimin e turizmit malor dhe të aventurës, shtigjet e biçikletave etj, të cilat do të ndihmonin tregun e turizmit të interesit të veçantë. Janë bërë përpjekje për plotësimin e sinjalistikës turistike, markimit të shtigjeve, por ka vështirësi në aspektin financiar.
Megjithatë “Stacioni turistik” Devoll do të ofrojë guida lokale, të cilët e njohin zonën, kanë dijeni për zonat e rrezikshme, njohin shtigjet dhe janë të përgatitur për të dhënë ndihmën e parë në çdo situatë.
- Kapacitetet akomoduese, agjencitë e udhëtimit dhe operatorët turistikë
Aktualisht, në zonën e Devolli funksionojnë disa struktura akomoduese (hotele e bujtina) të cilat plotësojnë nevojat e turistëve. Kohët e fundit nëpërmjet platformave online kanë filluar të rritet edhe numri i shtëpive apo dhomave me qira. Megjithatë me pritshmëritë në rritje të numrit të turistëve në një të ardhme do të jetë e nevojshme rritja e kapaciteteve akomoduese, si dhe rritja e shërbimeve turistike. Në zonë operojnë disa bare e restorante, bujtina, etj, të cilat ofrojnë një larmishmëri gatimesh, kryesisht tradicionale, të cilat pëlqehen nga turistët. (Shih Aneksi III – “Bare, restorante, bujtina, hotele, muzeume”).
“Stacioni turistik” do të bashkëpunojë me operatorët turistikë dhe agjencitë e udhëtimit për rritur numrin e turistëve të cilët janë të interesuar për turizmin e natyrës dhe turet e ofruara nga kjo qendër. (Shih Aneksin IV – “Lista e operatorëve turistikë”; Shih Aneksin V – “Lista e agjencive turistike).
Pjesë e grupeve të punës do të jenë edhe banorë të zonës të cilët janë kthyer nga emigracioni sezonal dhe nuk kanë patur mundësi punësimi. Ata do të trajnohen në kuadër të projektit “Punësimi i të rikthyerve përmes turizmit dhe trashëgimisë kulturore në Devoll”. (Shih Aneksin I – “Rreth projektit”).
Kjo qendër do të ofrojë ture në destinacione të ndryshme në zonë në grupe turistësh apo edhe të vetëm, të shoqëruar nga udhërrëfyes turistikë (guida turistike), me çmime konkurruese. Avantazhe të këtyre tureve janë guidat lokale të cilat e njohin mirë zonën dhe kanë kosto më të ulët se guidat e tjera që vijnë nga jashë zonës së Devollit.
Aktiviteti i “Stacionit turistik Devoll”
“Stacioni turistik Devoll” do të shfrytëzojë potenciali turistik të zonës së Devollit e më gjerë. Disa nga këto potenciale që do të shfrytëzohen janë:
Popullsia e zonës së Devollit, komunitet që mbart vlera pozitive
Popullsia e kësaj zone njihet si punëtore, me aftësi komunikuese, sjellje të qytetëruar, mikpritëse, me frymë bashkëpunimi, ngritje kulturore, dëshirë për zhvillim, vlerësim pozitiv të realitetit, pastërti e mirëmbajtje. Për këtë tek “Stacioni turistik” do të shihet mundësia e punësimit të banorëve të zonës, të rikthyer nga emigracioni, të cilët përveç vlerave të kësaj zone mbartin edhe përvojën e fituar në emigracion në sektorin turistik dhe atë të shërbimeve.
Kultura, historia e traditat
Zona e Devollit është e pasur me objekte të arkitekturës karakteristike, muzeume, objektet e kultit, galeritë e pikturave, fotografive, serenatat, gatimet dhe pijet karakteristike, punimet artizanale, festat tradicionale, etj. (Shih Aneksin II – “Objektet e trashëgimisë kulturore”)
“Stacioni turistik” Devoll do të ofrojë informacion lidhur me këtë trashëgimi, vizita me guidë në këto objekte dhe gjatë festave tradicionale. Si pjesë të grupit të përgatitjes së suvenireve do të jenë edhe të rikthyerit nga emigracioni dhe pjesëtarë të komunitetit rom dhe egjyptian.
Veprimtari prodhuese e artizanale
Ky “Stacion turistik” do të krijojë mundësinë e reklamimit të produkteve vendase dhe lidhjen e kontaktin e turistëve me bizneset e zonës, në mënyrë që të reklamohet dhe të rritet edhe puna e tyre. Kryesisht këto biznese janë ato artizanale, ku turistëve ju jepet mundësia që ata të shohin proceset e punës karakteristike për këtë zonë, si psh prodhimi i rakisë, verës, punimet me tezgjah, punimet e dorës, qëndistarë, gatimet karakteristike, poçeri, veprimtari për produkte, bujqësore e blegtoral, këpucëbërës, punues të hekurit e metaleve, gdhendës gurësh, prodhues të punimeve prej kashte e thupre (karakteristikë kryesisht e komunitetit rom), në prodhimin e suvenireve, veshjeve karakteristike e kostumeve popullore (psh, veshja karakteristike e burrave, fustanella, xhufkat, opingat, veshjet e grave të Devollit të Sipërm, si ajo e Dardhës, etj). Pjesë e këtyre prodhuesve artizanale do të jenë edhe ato të komunitetit rom dhe egjyptian të cilët kanë një pasuri të larmishme kulturore e shpirtërore. Një pjesë e mirë e tyre janë kontigjent nga të rikthyerit nga emigracioni (sidomos sezonal), të cilëve do ju ofrohet edhe mundësia e punësimit për prodhimin e suvenireve. E gjitha kjo do të jetë pjesë e projektit “Punësimi i të rikthyerve përmes turizmit dhe trashëgimisë kulturore në Devoll”i cili synon të ndërthurrë dy situate dinamike aktuale për komunitetin në Bashkinë Devoll: të rikthyerit nga emigracioni dhe promovimi i vlerave të trashëgimisë kulturore dhe turizmit në këtë Bashki. Gjithashtu do të bashkëpunohet edhe me biznesin dhe shoqatat e grave për të rritur pjesëmarrjen e grave të qytetit dhe të zonës rurale për përgatitjen e punimeve të dorës, për t’i shitur tek turistët që i pëlqejnë ato.
Natyra, klima dhe terreni
Natyra e bukur e zonës, klima e saj, ajri i pastër e i shëndetshëm, 4 stinë (pranverë, verë e freskët, vjeshtë dhe dimër me borë), malet, pyjet, luginat, liqene, flora e fauna, agrikultura dhe blegtoria, ushqimet natyrore janë një pasuri e kësaj zone e cila pëlqehet shumë nga turistët vendas e të huaj.
“Stacioni turistik” do të ofrojë ture të ndryshme me tematikë natyrën, por edhe doku i kombinuar këto ture edhe me ato kulturore, historike apo edhe të traditës. Disa prej këtyre tureve janë ato të Devollit të Sipërm, si në Nikolicë, Arrëzë, Sinicë, Qytezë, etj, apo edhe ato të Devollit të Poshtëm, nëpër fshatrat e fushës që janë të pasura me bukuri natyrore, por edhe me kulinari karakteristike, si në Tren, Hoçisht, Ziçisht, Menkulas, Cangonj, Progër, etj.
Ecjet në natyrë, shëtitje me biçikleta, vëzhgim i zogjve, vëzhgim i luleve, peshkim, piknik, shëtitje me kalë, etj do të jenë pjesë e ofertave turistike të qendrës. Kostoja e këtyre tureve do të jetë konkuruese dhe e lehtësisht e përballueshme nga turistët.
Një mrekulli tjetër është edhe vizita e ndalesa në fshatin Sinicë. Udhëtimi për në këtë fshat është shumë tërheqës, infrastruktura rrugore të mundëson një udhëtim të qetë dhe të shpejtë. Ujvara e Sinicës është një madhështi natyrore që të mahnit, përveç kësaj është edhe kisha qindra vjeçare e cila kohët e fundit u ristrukturua duke ruajtur origjinalitetin e saj.
Duhet të përmenden gjithashtu rezervat natyrore të Cangonjit dhe Poloskës, pylli i Bradvicës, Shën Kostandini, si dhe për pamjet piktoreske që ofron mali i Moravës me shumë burime ujore, të mbrojtura me ligj, por edhe nën kujdesin e vetë banorëve. Të gjitha këto janë pjesë e tureve që do të ofrohen nga “Stacioni turistik Devoll”
“Stacion turistik” do të jetë një hapësirë e promovimit të turizmit dhe trashëgimisë kulturore të zonës së Devollit, i cili edhe për shkak të vendndodhjes së tij (pedonalja e qytetit të Bilishtit), do të mund të tregtojnë objekte tradicionale të zonës, suvenire artistike, objekte që lidhen me trashëgiminë kulturore e shpirtërore të komunitetit R/E, si dhe do të ofrohen guida turistike të organizuara për turistët ditorë në Bashkinë Devoll.
Lista e anekseve
Aneksi I – Rreth projektit
Aneksi II – Objektet e trashëgimisë kulturore
Aneksi III – Bare, restorante, bujtina, hotele, muzeume
Aneksi IV – Lista e operatorëve turistikë
Aneksi V – Lista e agjencive turistike
Top of Form