Projekti: Beyond Boundaries: Empowering Youth
through Reading and Literature
Artistic lab Korce: Exploring Literary Genres/book discussion
Data: 21/09/2024
Vendndodhja: Korçë, Shqipëri
Tema: Exploring Literary Genres/book discussion

Më 22 tetor 2024, në orën 10:30, në ambientet e Muzeut të Arsimit “Mësonjëtorja e Parë Shqipe” në Korçë, u zhvillua një aktivitet “Laboratori artistik Korçë” në kuadër të projektit “Beyond Boundaries: Empowering Youth through Reading and Literature”, një nismë që synon të fuqizojë të rinjtë përmes letërsisë dhe të nxisë ndërveprimin kulturor ndërmjet komuniteteve. Gjatë hapjes së aktivitetit, Eris Rusi dhe Vasil Sterjovski prezantuan pikat kryesore te takimit,, duke theksuar se letërsia nuk është thjesht një aktivitet argëtues ose arsimor, por një mjet që ndihmon në zhvillimin e marrëdhënieve më të ndërlidhura dhe më të kuptueshme midis njerëzve të kulturave të ndryshme. Në vazhdim, Sterjovski e shtriu diskutimin në rolin transformues të letërsisë, duke nënvizuar se ide të fuqishme letrare kanë ndihmuar gjithmonë në krijimin e ndjeshmërisë dhe mirëkuptimit në shoqëri, si dhe në ndërtimin e lidhjeve të forta ndërmjet individëve.
Një pjesë kyçe e aktivitetit ishte diskutimi mbi fuqinë e zhanreve letrare, ku u shpjegua roli që luajnë poezia dhe proza në përvojën e lexuesve. Eris Rusi drejtoi një bisedë mbi prozën e gjatë, me theks të veçantë te romani, si një zhanër që u ofron lexuesve një përvojë të thellë ndjesore dhe një mundësi për të hyrë në botën e personazheve, për të përjetuar përvojat dhe ndjenjat e tyre. Ndryshe nga poezia, e cila shpreh ndjenja të përmbledhura dhe të drejtpërdrejta, proza e gjatë dhe romani i japin lexuesit kohë të zbulojë dhe të përjetojë realitetin e brendshëm të personazheve dhe t’i kuptojë më mirë përvojat e tyre. Kjo mënyrë narrative ofron një perceptim të thelluar dhe ndërton ura mirëkuptimi midis lexuesve nga kultura të ndryshme, duke shërbyer si një instrument ndërlidhës mes shoqërive.

Pjesa qendrore e aktivitetit u fokusua mbi promovimin e romanit “Lulja e Ferrës” nga shkrimtarja Floresha Zyberi, një vepër që sjell në vëmendje realitetet e ashpra të jetës shqiptare përmes historisë prekëse të Lules, protagonistja që përballet me sfida të shumta dhe padrejtësi të mëdha që nga fëmijëria e saj. Prezantuesit, Eris Rusi, Vasil Sterjovski dhe Gerta Bandilli, shpjeguan sesi romani arrin të pasqyrojë jo vetëm një histori personale, por edhe një reflektim të thellë mbi sfidat sociale dhe nevojën për përmirësim të përhershëm të shoqërisë. Romani i Zyberit rrëfen jetën e një vajze që, ndonëse kalon përmes humbjeve të mëdha dhe sfidave të vazhdueshme, nuk dorëzohet kurrë, por përpiqet të lulëzojë mes pengesave të shumta. Ky rrëfim i sinqertë dhe i ndjerë ngjalli te pjesëmarrësit një reflektim mbi fuqinë e letërsisë për të ndriçuar realitetet shoqërore dhe për të ndihmuar lexuesit të përballen me të metat e jetës.
Pas prezantimit të romanit, të pranishmit u angazhuan në një sesion të hapur pyetjesh dhe diskutimesh mbi librin dhe rëndësinë e letërsisë në jetën e tyre. Diskutimi nxori në pah sesi romane si “Lulja e Ferrës” i ndihmojnë të rinjtë të reflektojnë mbi përvojat e tyre dhe të zhvillojnë një ndjenjë më të fortë empatie dhe kuptimi për ata që ndodhen në sfida të ngjashme. Pjesëmarrësit ndanë mendimet dhe përvojat e tyre mbi atë që i tërheq në letërsi, duke e parë atë si një mundësi për vetëzhvillim dhe një pasqyrë për të njohur botën dhe për t’u frymëzuar për ndryshim.